Hetuesit policorë të hetimeve në rajonin e Ferizajt kanë arrestuar 19 vjeçarin me inicialet E.M., i dyshuar për dy raste të grabitjes me armë dhe një tentim grabitje në një pompë derivatesh në dalje të Ferizajt, drejtimi i Shtimes.
E.M. në rastin e parë, më datë 18.12.2019, rreth orës 01:30, i maskuar ka hyrë në lokalet e punës së kësaj pompe dhe me kërcënimin e armës (pistoletë) ka grabitur nga punëtori 1 mijë e 505 euro, dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Vetëm një javë më vonë, më 25.12.2019, rreth orës 02:15, 19 vjeçari i dyshuar, sipas njoftimit të policisë, është kthyer sërish në vendin e njëjtë dhe nën kërcënimin e armës ka grabitur 350 euro.
Ndërsa rasti i tretë, i cili ndodhi natën e fundit të këtij viti, është cilësuar si grabitje në tentativë.
“Lidhur me këto raste, hetuesit policorë kanë siguruar prova të mjaftueshme materiale të cilat i bashkëngjiten lëndës”, thuhet në njoftimin e drejtorisë rajonale të policisë në rajonin e Ferizajt.
Pas intervistimit, njoftohet se prokurori i Shtetit i ka caktuar të dyshuarit masën e ndalimit për 48 orë./Gazeta Sinjali/