image IPK jep detaje për arrestimin e rreshterit dhe katër policëve të tjerë pas dëshmive të publikuara në Sinjali

Siguri

IPK jep detaje për arrestimin e rreshterit dhe katër policëve të tjerë pas dëshmive të publikuara në Sinjali

news image

Pas dëshmive të publikuara ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali, se si u torturuan dhe u poshtëruan disa qytetarë në Prizren nga Njësia Speciale, Sinjali raportoi sot se janë arrestuar rreshteri Sami Hoti dhe zyrtarët policorë Valon Krasniqi, Frasher Kroni, Ardian Krasniqi e Albert Perzhaku.

Për arrestimin e tyre, ka njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, shkruan Sinjali.

“Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra”, thuhet në njoftim.

Në materialet e publikuara më 25 qershor nga Sinjali, pasqyrohet dhuna e ushtruar nga rreshteri Sami Hoti dhe kolegët e tij, derisa katër personat e prangosur transferoheshin me furgonin e Njësisë Speciale për në stacionin policor në Prizren. Hoti me kolegët e tij përveç që treguan muskujt ndaj qytetarëve duarlidhur, ata pareshtur i fyen e i poshtëruan, duke iu kërkuar edhe që të rriheshin “fer”.

Komunikata e plotë:

“Inspektorati Policor i Kosovës  kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet  e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur në  korrik të vitit të kaluar në Prizren.

Hetuesit e IPK-së pas pranimit të rastit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren që kanë përfshirë marrjen e deklaratave nga dëshmitarët okular si dhe sigurimin e disa audio incizimeve ditëve të fundit.

Pas veprimeve hetimore, në konsultim me prokurorinë e Prizrenit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pesë zyrtarë policorë që ishin të përfshirë si të dyshuar në këtë incident (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative).

Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor” kurse me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/