Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për rastin e arrestimit të kameramanit të Agjencisë së lajmeve, Ekonomia Online, Albion Selitaj, derisa po e ndiqte një ngjarje, raporton Gazeta Sinjali. Kështu kanë bërë të ditur për Sinjali nga IPK.
Inspektorati ka njoftuar se sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin veprime hetimore drejt ndriçimit të rrethanave dhe sqarimeve tjera në përputhje me mandatin ligjor dhe në koordinim më prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Lidhur me këtë rast ka folur edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili bëri të ditur se është hapur rast ndaj të dyshuarit.
“Është shoqëruar në stacion policor për mospërfillje të urdhrave dhe pengim në kryerjen e detyrave zyrtare. Pas intervistimit me urdhër të Prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është hapur rast”, ka thënë Gashi për Sinjalin.
Selitaj është arrestuar derisa ishte duke mbuluar ngjarjen nga ndërhyrja e AKP-së për të marrë në menaxhim zyrat e ndërmarrjes AgroKosova Holding, tashmë është liruar.
Sipas gazetares së EO, e cila ishte në vendin e ngjarjes, arrestimi ka ardhur pasi Selitaj ka kërkuar nga Policia që mos ta shtyjnë sepse rrezikohen edhe pajisjet e punës.
“Tash po dalë vetë jashtë”, ka thënë Selitaj por që pjesëtarët e Policisë e kanë arrestuar atë.