image Arrestimi i Granit Paçarizit, Sinjali ju sjell emrin e viktimës lidhur me incidentin për shkak të kontestit pronësor

Siguri

Arrestimi i Granit Paçarizit, Sinjali ju sjell emrin e viktimës lidhur me incidentin për shkak të kontestit pronësor

news image

Gazeta Sinjali pak më parë ka raportuar, se Policia e Kosovës ka arrestuar Granit Paçarizin, biznesmenin nga Prizreni.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 10:30 ku fillimisht policia ishte informuar për një mosmarrëveshje në rrugën “Sheh Kadrija” në Prizren.

Burime nga Prokuroria thonë se Paçarizi kishte sulmuar fizikisht 65 vjeçarin Agim Kastratin për një kontest pronësor.

I dyshuari fillimisht e kishte kanosur viktimën e pastaj dhe kishte pasur kontakt me duar me viktimën, ku si pasojë e këtij sulmi, viktima pëson një lëndim të lehtë (gërvishje) në gishtin e dytë të dorës së majtë.

Ndërkaq viktimës i është ofruar tretmani mjekësor dhe sipas raportit të mjekut, lëndimet ishin të lehta.

Po ashtu në vend ngjarje kishin dal edhe inspektorët komunal, të cilët do të përpilojnë procesverbal në lidhje me punimet nga ana e të dyshuarit, për të cilat viktima pretendon se janë kontestuese.

Për rastin janë informuar polici hetues si dhe prokurori i shtetit, me urdhër të prokurorit i dyshuari ndalohet për 48 orë.

Rasti është cilësuar “Lëndim i lehtë dhe kanosje”.

Ndryshe, Paçarizi vite më parë, ishte përfshirë në një përleshje masive, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, kishte edhe persona të plagosur.

Paçarizi ishte akuzuar për armëmbajtje pa leje, për çka edhe ishte shpallur fajtor. Por, prokurori e kishte rihapur rastin, duke e akuzuar kështu Paçarizin për veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’.

Për kryerjen e kësaj vepre penale, ai ishte dënuar me 2 vite e gjysmë burgim dhe ishte dërguar në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Ndërkaq më 1 janar të vitit 2020, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me anë të një dekreti i kishte falur me një vit burg, tre personave të dënuar për vepra të ndryshme penale ku në këtë falje ishte edhe Granit Paçarizi.

/GazetaSinjali/