image Arrestimet në MINT, Osmani për Hajdarin: Jo domosdoshmërisht ka lidhje me veprimet e individëve të caktuar

Politikë

Arrestimet në MINT, Osmani për Hajdarin: Jo domosdoshmërisht ka lidhje me veprimet e individëve të caktuar

news image

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale dhe Policisë, ku janë arrestuar zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmeni, Ridvan Muharremi, i cili dyshohet se është i përfshirë në keqpërdorimet me rezerva shtetërore, raporton Gazeta Sinjali.

Rreth këtyre arrestimeve, ajo nga vizita në Klinë deklaroi para mediave se bazuar në informatat që kanë, duhet pritur epilogun e këtij rasti dhe nuk duhet paragjykuar.

“Këto janë punë të institucioneve të drejtësisë dhe punë të institucioneve ligjzbatuese. Për çdo rast të tillë nuk mund të paragjykohet epilogu i rastit, rrjedhimisht ne do t’i presim informatat e mëvonshme rreth asaj se si do të rrjedh rasti. Dhe vetëm pasi ta marrim vesh epilogun, mund të japim më shumë se kaq detaje. Tani për tani, janë puntë e institucioneve të drejtësisë”, u shpreh ajo.

Ndërsa, e pyetur rreth kërkesave nga opozita për shkarkimin e ministrës së MINT, Rozeta Hajdari, Osmani la të nënkuptohej qëndrimin e saj, duke thënë se ‘jo domosdoshmërisht për veprime të individëve të caktuar kanë lidhmëri edhe me ministrat ose zyrtarët e tjerë”.

“Ne duhet ta shohim epilogun e rastit. Jo domosdoshmërisht për veprime të individëve të caktuar kanë lidhmëri edhe me ministrat ose zyrtarët e tjerë. Kështu që, unë nuk mundem as të paragjykoj fajësinë e atyre që për momentin po hetohen, por as ndërlidhshmërinë me zyrtarët e tjerë. Kështu që, e presim epilogun e rastit dhe patjetër që mund të japim edhe komente për më shumë detaje”, tha Osmani për Nacionale.

Pas pak, pritet edhe deklarimi i vetë ministres Hajdari, e cila ka thirrur një konferencë për media.

/GazetaSinjali/