Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), Bedri Zyberaj ka thënë se nuk posedojnë asnjë material apo dokumentacion që i përket luftës së fundit.
Zyberaj ka thënë se nëse do të kishte dokumentacione, atëherë sipas tij, do të duhej të ishte një fond i posaçëm, “Fondi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Zyberaj ka thënë se dëshmi të asaj periudhe mund të kenë shumë persona, por që në këtë institucion nuk kanë informacione.
“Nga lufta e fundit nuk kemi materiale. Kjo është një çështje që është bërë problematike dhe është shtruar edhe në bisedimet mes dy shteteve që është biseduar edhe në Bruksel, është ngritur kjo problematikë. Ne nuk kemi dokumentacion që është dorëzuar sepse ai do të ishte fond i posaçëm, ‘Fondi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’, por ne nuk kemi dokumentacion të asaj periudhe që është këtu i dorëzuar dhe i deponuar”.
“Tani Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ajo që e ka shuajt veprimtarinë e vet, ajo është shuar me 19 shtator të vitit 1999, dhe në një far forme e ka humb subjektivitetin e vet dhe mbase mund të ketë dikush dokumentacion të asaj periudhe por ne nuk e dimë, nuk e kemi të identifikuar se kush mund t’i ketë nëse ka. Çdo dokument për ne është shumë i rëndësishëm i historisë sonë”, ka thënë Zyberaj.
Sipas tij, gjendja në përgjithësi e arkivave në vend nuk është e mirë. Madje sipas tij, ne objektin në të cilin është i vendosur Arkivi Shtetëror funksionojnë edhe tri institucione të tjera, gjë që po e pengon funksionimin e tyre.
“Gjendja që e kam gjetur arkivin nuk do të thotë që ka qenë e mirë dhe e tillë çfarë duhet të jetë. Kjo ka disa faktor objektiv. Faktorë të parë janë rrethanat historike të kohës me të cilën ne kemi qenë të detyruar të jetojmë. Dhe e dini se kur e pranova detyrën kishte vetëm 20 vite që kemi dalë nga lufta. E dyta ka qenë në atë gjendje që pothuajse s’ka filluar ende të ndryshojë asgjë në ndërtesën e objektit të arkivave ku jemi tani”.
“Brenda këtij janë të vendosura edhe tri institucione të tjera që ia ngushtojnë hapësirën e veprimit dhe të funksionimit të duhur për të kryer funksionin që e ka”, është shprehur Zyberaj.
Ai shtoi se në kuadër të Agjencisë Shtetërore të Arkivave ruhet një sasi e dokumentacionit prej 8 kilometra gjatësi lineare, por që thotë se nuk kanë staf të mjaftueshëm krahasuar me vendet e rajonit, raporton EO.
“Arkivi i Maqedonisë ka diku 12 km, 4 km më shumë se sa ne, ndërsa i ka 280 punëtorë. Ndërsa ne kemi më pak se 100 punëtorë, kështu që punonjësit tanë që merren me rregullimin e dokumentacionit i kanë 100 metra për kokë të zyrtarit. Ndërsa në vendet në rajon i ka 50 metra”.
“Sidomos nëse bëhet fjalë për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve buxheti është mjaft i limituar. Për një institucion brenda të cilit funksionojnë dhe punojnë 105 zyrtarë sa jemi është mjaft i vogël, shto këtu pastaj edhe domosdonë e pajisjes me teknologji të re, me aparaturë të re prej aparatit me digjitalizim”, ka thënë Zyberaj.