Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka akuzuar sërish kryeministrin Albin Kurti se ka përçarë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe si rezultat i kësaj, sipas tij, ata e kanë bojkotuar edhe daljen në zgjedhje.
Arifi ka rikujtuar marrëveshjen e vitit 2020, që kishte unifikuar partitë politike shqiptare në Luginë, por thotë se në zgjedhjet e të dielës Kurti ka anuar drejt Kamberit dhe ka sponsorizuar ndarjen.
“Në këto zgjedhje të ditës së diel kemi pas përçarje që është sponzorizuar nga kryeministri Albin Kurti dhe ndërhyrjet e tij flagrante të një anshme në drejtim të Kamberit. Në bazë të kësaj ndërhyrje, shqiptarët e Luginës së Preshevës i kanë bojkotuar këto zgjedhje. Nga 80 mijë votues, kanë dalë në votime vetëm 15 mijë. Kjo për pak ka mjaftuar që t’ia sigurojë mandatin doraputhësit të Kurtit”, ka potencuar për Frontal kreu i Komunës së Preshevës.
“Interesi i Kurtit është të gjej servil. Unë s’mund të jem servil dhe ai e ka gjetur Kamberin dhe Ardita Sinanin”, ka shtuar tutje Arifi.