image Arian Krasniqi nuk e komenton vendimin për suspendim nga puna pasi rrahu sekretarin e ministrisë

Kosovë

Sulmi/ Arian Krasniqi nuk e komenton vendimin për suspendim nga puna pasi rrahu sekretarin e ministrisë

news image

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Tregtisë, Arian Krasniqi, i cili u përfshi në rrahje me sekretarin e kësaj ministrie, Burim Rreci, nuk ka dashur të deklarohet rreth rastit i cili ndodhi ditë më parë në objektin e kësaj ministrie. 

Sot është bërë e ditur se nipi i Jakup Krasniqit është pezulluar nga puna për shkak të sulmit fizik ndaj sekretarit të kësaj ministrie Burim Rrecit.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali para pak çastesh, Krasniqi nuk ka dashur të komentoj rreth rastit por as ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor të marr ndaj tij.

“Në fakt ju Sinjali i keni nejtë gati kësaj ngjarje. Besoj keni informacion të gatshëm prej policisë. Nuk kam diçka çka shtoj. Nuk kam koment. Faleminderit! Natën e mirë se jam zanë, kam dalë…..”, ka deklaruar Krasniqi.

Vendimi për pezullimin nga puna të Arian Krasniqit është marr nga Komisioni Disiplinor i MTI-së në mbledhjen e mbajtur me 15 nëntor pas inicimit të rastit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit të Turizmit Irfan Lipovica lidhur me sulmin fizik, përleshje e cila ka ndodhur në zyrën e sekretarit të përgjithshëm më 11.11.2019.

Sipas vendimit, Krasniqit i ndalohet hyrja në objektin e MTI-së deri në marrjen e një vendimi tjetër ndërsa theksohet se Krasniqi është suspenduar me pagesë konform nenit 58 paragrafi 4 i Ligjit Nr.06/L-114 për zyrtarët publik.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht  më 11 nëntor, sesi Arian Krasniqi kishte sulmuar fizikisht Burim Rrecin në zyrën e tij ndërsa si shkak i këtij konfrontimi fizik dyshohet të kenë qenë mëditjet e udhëtimeve jashtë vendit.

Nipi i Jakup Krasniqit, Ariani kishte kërkuar nënshkrimin e pagesave të udhëtimeve që i ka bërë jashtë vendit, por, që një gjë të tillë nuk ia kishte dorëzuar sekretari Rreci. /Gazeta Sinjali/