Arbër Zeneli ishte shumë i pafat në fillimin e sezonit teksa u dëmtua rëndë në sfidën kualifikuese të Kosovës për Euro 2020 ndaj Malit të Zi.
Dëmtimi në ligamente bëri që futbollisti të mos i shmangej ndërhyrjes kirurgjikale, duke humbur një numër të madh ndeshjesh.
Megjithatë, tashmë Zeneli është në hapat e fundit dhe në një intervistë për faqen e Reims, klubi ku aktivizohet, 24-vjeçari thekson se është në fund të maratonës dhe tashmë duhet durim.
“Rehabilitimi po shkon mirë, madje më mirë sesa mendoja. Stafi dhe ekipi më ndihmojnë shumë dhe ne po vazhdojmë të arrijmë rezultate të mira. Në fillim nuk mund të bëja shumë dhe ishte pak zhgënjyese. Tani kam ardhur në fund të maratonës dhe duhet të vazhdojë të jemi të durueshëm për të ndërmarrë hapat e fundit”, ka deklaruar ai.
“Unë e kam ndjekur ekipin dhe mendoj se kemi pasur një pjesë të parë të sezonit të mirë. Ishim në gjendje të arrinim rezultate të mira kundër skuadrave të mëdha, është për të ardhur keq që humbëm disa pikë sepse mendoj se mund të kishim edhe disa të tjera. Por skuadra mëson, përparon, bën gjëra të bukura dhe tregon karakter, e pamë në ndeshjen kundër Bordo për shembull.
Tani, shpresoj të jem në gjendje të ndihmoj ekipin në gjysmën e dytë të sezonit kur të grumbullohem përsëri”, ka thënë Zeneli.