Autoritetet e Arabisë Saudite u kanë bërë thirrje besimtarëve që kanë planifikuar të shkojnë në haxh këtë vit t’i shtyjnë rezervimet për shkak të paqartësive të krijuara nga përhapja e koronavirusit.
Ministri për haxh, Mohammed Banten, tha se mbretëria është e shqetësuar për sigurinë e pelegrinëve dhe kërkoi nga njerëzit që të presin para se të bëjnë kontrata për udhëtim dhe qëndrim në vendet e shenjta të myslimanëve.
Pritej që rreth dy milionë njerëz të udhëtojnë në Mekë dhe Medinë në korrik dhe gusht të këtij viti për të marrë pjesë në ceremoninë e përvitshme islame.
Një pelegrinazh tjetër më i vogël, umreja, tashmë është pezulluar si masë parandaluese kundër përhapjes së koronavirusit, shkruan “BBC”.
Arabia Saudite e ka ndaluar hyrjen e vizitorëve në Mekë, Medinë dhe në kryeqytetin Riad. Deri më tani, në këtë shtet janë shënuar 1 mijë e 563 raste të infektuara me covid-19 dhe 10 viktima të këtij virusi.
Ndryshe, haxhi është pelegrinazh i detyrueshëm për besimtarët myslimanë që janë të shëndoshë dhe që kanë mundësi financiare për t’i mbuluar shpenzimet e veta./GazetaSinjali/