Turqit që u përpoqën të blinin iPhone dhe pajisje të tjera elektronike në internet morën mesazhe për një gabim sot në internet.
Nuk ishte në dispozicion as faqja lokale e kompanisë Apple, pasi rënia historike e lirës prej 15 për qind shkaktoi kaos në çmime.
Lira turke sot rrëshqiti sërish drejt një niveli të ri rekord, i ndikuar nga frika për pasoja më të gjera ekonomike, pas rënies së djeshme. Që nga fillimi i këtij viti, lira ka humbur 43 për qind të vlerës së saj gjersa vetëm këtë javë ka rënë për më shumë se 22 për qind.
Në të njëjtën kohë, çmimet e mallrave vendase në Turqi kanë rënë në krahasim me çmimet e krahasueshme në vendet e tjera, me shitësit turq që luftojnë për të mbajtur ritmin me rregullimet e çmimeve për shkak të trazirave në treg.
Shitjet e shumicës së produkteve në faqen turke të Apple janë pezulluar gjersa faqja kryesore shkruan se “aktualisht e padisponueshme”, duke shtuar se një zëdhënës i Apple në Turqi nuk ishte i disponueshëm për koment.
Çmimet e telefonave dhe kompjuterëve janë rreth 10 për qind nën çmimet e brendshme në SHBA pas zhvlerësimit të papritur të lirës.
Një përfaqësues i shitjeve në një dyqan Apple në Stamboll thotë se njerëzit i shohin pajisjet elektronike si një investim.
Blerësit turq janë grumbulluar drejt markave të importuara në treg, kryesisht elektronikë dhe kozmetikë, tha një zyrtar i një kompanie turke të tregtisë elektronike.
Rënia e lirës po ndodh në prag të shitjes së të Premtes së Zezë dhe fillimit të zbritjeve të Vitit të Ri dhe mes konsumatorëve po përflitet se disa mallra konsumi nuk do të jenë në dispozicion ose do të përballen me rritje të madhe çmimesh, shkruan agjencia britanike./Gazeta Sinjali/