Shefja e Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Apostolova tha se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve i ndihmon Kosovës të përmirësojë administratat tatimore dhe doganore në vend.
“E mirëpres ratifikimin e ditës së sotme të marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës të cilat mundësojnë pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së Fiskalizimi 2020 dhe Doganat 2020. Pjesëmarrja në këto programe do t’i lejojë administratës tatimore dhe doganore të Kosovës të përmirësojë dhe të modernizojë funksionet e tyre, të forcojë bashkëpunimin dhe të shkëmbejë ekspertiza me autoritetet e shteteve anëtare të BE-së dhe përtej”, ka thënë Apostolova.
Për të gjitha këto marrëveshje që janë votuar ka pasur mbi 80 vota, derisa kësaj radhe kanë votuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kujtojmë që shefja për BE-në është në fund të mandatit të saj dhe sot është takuar me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.
Osmani e ka uruar Apostolovën për punën e shkëlqyer si përfaqësuese e BE-së në Kosovë, si dhe për koordinimin efektiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe BE-së. /Gazeta Sinjali/