image Apeli ia vërteton dënimin me burgim Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Drejtësi

Apeli ia vërteton dënimin me burgim Gani Gecit për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

news image

Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me 3 vite e 6 muaj burgim për ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të vitit 2014.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 4 qershor 2021, nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Geci u dënua me 3 vite burgim për vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kurse me 10 muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj tij, u shqiptua dënimi unik prej 3 vite e 6 muaj burgim efektiv, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij aktgjykimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishin parashtruar Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Sokol Dobruna dhe i akuzuari Gani Geci me avokatin e tij Ndrec Dodaj.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte propozuar që lënda të kthehet në rigjykim ose të ndryshohet sa i përket pikës 1, në anën tjetër i akuzuari Geci dhe avokati i tij Dodaj, kanë propozuar që Geci të lirohet nga vepra penale e vrasjes.

Gjykata e Apelit më 29 shtator 2022, kishte refuzuar ankesat e palëve dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Në vendim, thuhet se Gjykata e Apelit ka gjetur si të pabazuar pretendimet e prokurorisë se veprimet e të pandehurit ishin joproporcionale me shkallën e rrezikut të perceptuar.

Po ashtu, Apeli ka gjetur si të pabazuar edhe pretendimin ankimor të të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij se në rastin konkret, kemi të bëjmë me një mbrojtje të nevojshme fiktive apo putative.

Sipas këtij vendimi, gjykata e shkallës së parë drejt i ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ndërsa nga rrethanat e pretenduara nga mbrojtja, përveç, atyre se i ndjeri ka lënë bashkëshorten me fëmijë, e cila nuk paraqet ndonjë rrethanë të re pas shpalljes së aktgjykimit të ankimuar dhe si tillë nuk është e asaj natyre që do të determinonte një dënim tjetër nga ai i shqiptuar nga gjykata e shkallës së pare.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Sipas aktakuzës, Gani Geci e kishte vrarë Ruzhdi Shaqirin në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.

/GazetaSinjali/