Një ditë pas vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, policia ka arritur të zbardhë detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë dhe ka përqendruar hetimet në dy pista kryesore.
Sipas burimeve hetimore, pista e parë lidhet me një konflikt të hershëm mes viktimës dhe autorit të dyshuar. Mësohet se dy të rinjtë kanë qenë më parë shokë të ngushtë, por rreth një vit më parë kanë pasur një përplasje mes tyre, duke sjellë prishjen e marrëdhënieve. Që prej asaj kohe, mes tyre janë regjistruar herë pas here konflikte dhe tensione.
Pista e dytë që po hetohet nga grupi hetimor lidhet me dyshimet për prishjen e një pazari të mundshëm për lëndë narkotike.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se autori i shpallur në kërkim, Sadik Llani, ka qenë më herët i dënuar për dhunë në familje dhe i skeduar nga policia për aktivitet të paligjshëm në fushën e narkotikëve.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm është gjetur edhe automjeti tip “Benz”, i cili dyshohet se është përdorur nga autori pas krimit. Pavarësisht kontrolleve dhe operacioneve të policisë, Sadik Llani vijon të jetë në arrati, ndërsa kërkimet për kapjen e tij vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!