image Anulohet ndeshja kualifikuese për Botëror mes Marokut dhe Guineas, shkaku i puçit (VIDEO)

Futboll

Anulohet ndeshja kualifikuese për Botëror mes Marokut dhe Guineas, shkaku i puçit (VIDEO)

news image

Ndeshja kualifikuese për Kupën e Botës mes Marokut dhe Guineas është anuluar mbrëmë, pasi ushtria e Guineas e arrestoi presidentin e vendit Alpha Conde dhe organizoi grusht shtet.

Ekipi kombëtar i Marokut u evakuua nga kryeqyteti i Guineas. Conakry, pak orë pasi kishte nisur puçi dhe si pasojë ndeshja kualifikuese me Guinean për Botërorin Katari 2022 u anulua.

Portieri i Marokut, Anas Zniti, i cili ndodhej me ekipin në Conakry, ka thënë për ESPN se ai dhe bashkëlojtarët e tij ishin mirë, edhe pse ata ishin dëshmitarë të përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Mesfushori Sofyan Amrabat shpërndau pamje të forcave ushtarake nëpër rrugët e kryeqytetit të Guineas.

“Gjendja e tanishme politike dhe e sigurisë në Guinea është goxha e dhunshme dhe po vëzhgohet nga afër nga FIFA dhe CAF”, ka thënë Federata e Futbollit të Afrikës.

“Për të garantuar siguri për të gjitha lojtarët dhe për t’i mbrojtur të gjithë zyrtarët e ndeshjes, FIFA dhe CAF kanë vendosur ta shtyjnë ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2022 mes Guineas dhe Marokut”, thuhet në njoftimin e CAF.

Maroku u stërvit në Guinea të dielën pak pasi nisi grusht shteti, ku u dëgjuan të shtëna armësh.

Ndërkohë, ministri i mbrojtjes i Guineas ka thënë se puçi ka dështuar dhe se fati i presidentit Conde mbetet i pasigurt.

/Gazeta Sinjali Sporti/