image Ministrja e Jashtme e Suedisë viziton sot Kosovën

Politikë

Ministrja e Jashtme e Suedisë viziton sot Kosovën

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

Ajo udhëton së bashku me ndihmëssekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe zëvendësdrejtoreshën ekzekutive të UN Women, Asa Regner.

Fokus kryesor i vizitës do të jetë agjenda “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Në rend dite do të jenë barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, duke reflektuar mbi strategjitë e suksesshme për përfshirjen dhe fuqizimin e grave, si dhe mbështetjen e grave në punën për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve, drejtësinë tranzicionale, si dhe arritjen e potencialit të grave në ndërtimin e mirëbesimit, shkruan Gazeta Sinjali.

Temat e tjera të vizitës janë: Zbatimi i reformave strategjike të Kosovës, përpjekjet anti-korrupsion, zgjedhjet lokale, integrimi gjyqësor, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave që i përkasin komuniteteve, si dhe tejkalimi i pandemisë.

Kryediplomatja suedeze gjithashtu do të diskutojë çështje që lidhen me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe rolin e OSBE-së në të.

Linde dhe Regner do të takohen me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq.

Linde dhe Regner do ta takohen edhe me stafin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, si dhe do të vizitojnë projektet në terren./Gazeta Sinjali/