image Anijet ruse marrin urdhrin të dalin nga bazat

Botë

Anijet ruse marrin urdhrin të dalin nga bazat

news image

Ukraina është duke kaluar orë ankthi ndërsa bota po mban frymën nga një sulm i papritur rus.

Gjatë 24 orëve të fundit nga Kievi janë larguar diplomatët amerikanë dhe rusë, ndërsa një pjesë e mirë e vendeve, përfshi edhe Shqipërinë i kanë kërkuar shtetasve të tyre të largohen prej andej.

Kur në kufirin me Ukrainën ekziston një panoramë e frikshme, ushtria ruse ka njoftuar një stërvitje të madhe në zonën e Bjellorusisë dhe Detit të Zi, gjë që sipas mediave ndërkombëtare është sinjali kryesor i pushtimit të Ukrainës.

Mësohet se 30 anije të flotës ruse në Detin e Zi i është dhënë urdhri të dalin në det të hapur duke u larguar nga portet e Sevastopolit dhe Novorossiysk-ut. Anijet në fjalë janë të pajisura me raketa dhe të gatshme për veprime luftarake edhe pse thuhet se bëhet fjalë për një stërvitje rutinë.

Në rrjetet sociale janë duke qarkulluar video ku në qiellin e Krimesë së aneksuar nga Rusia po fluturojnë helikopterë të shumtë si Mi-8 dhe Ka-52.

SHBA-të dhe NATO besojnë se ushtria ruse do të sulmojë Ukrainën gjatë orëve apo dy ditëve në vijim pas mbledhjes së të gjithë arsenalit ushtarak përreth këtij shteti. Një ditë më parë, vetë Sekretari i Shtetit Blinken tha se e presin një sulm këto ditë, ndërsa mediat amerikane raportojnë duke iu referuar burimeve ushtarake se sulmi do të ndodhë deri të martën.

Rusia është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe ka nisur një process destabilizimi të vendit që prej vitit 2014 ku separatistët pro rusë morën kontrollin në rajonet lindore, ndërsa vetë ushtria ruse aneksoi Krimenë.

Dy ditë më parë NATO i ktheu përgjigje Rusisë duke theksuar se nuk mundet që të ndalojë anëtarësimin e shteteve në aleancë pasi kjo bëhet me vullnetin e tyre. Rusia kishte kërkuar bllokimin e zgjerimit të NATO-s dhe largimin e saj deri te kufijtë e vitit 1997.

/GazetaSinjali/