Anëtari i presidencës së Bosnje Hercegovinës, Zheljko Komshiq, në një intervistë dhënë televizionit publik të Kosovës, ka deklaruar se pavarësisht a ekziston njohja e ndërsjellë në mes Bosnje Hercegovinës dhe Kosovës, kjo punë është fakt i kryer.
“Siç qëndrojnë tani punët, duhet të presim, edhe pse unë nuk kam dilema se Kosova është shtet i pavarur”, ka thënë Komshiq.
Në pyetjen e gazetarit se a ka dakordim për këtë, Komshiq është përgjigjur:
“Nuk kam dakordim për këtë, por kam të drejtë të kem qëndrim timin. Unë nuk do të flas gjithmonë atë që është e dakorduar, për shkak se ne jemi tre në Presidencën e BH nuk do të thotë se më duhet autorizimi i Presidencës për të thënë diçka. Në veprimet e mia diplomatike duhet t’u përmbahem disa rregullave të cilat vlejnë në BH. E përsërisë, për mua Kosova është shtet i pavarur! Kjo tashmë është punë e kryer, vetem është çështje e momentit kur do ta pranojnë te tjerët në rajon”, thotë Komshiq.
Ndërsa sa i përket një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, Komshiq ka thënë se “gjithë ajo që po ndodh me Kosovën, posaçërisht bisedimet mes Beogradit e Prishtinës, janë çështje e marrëveshjeve të tyre. Por për çfarëdo që ata bien dakord, nuk mund të jetë precedent për zgjidhjen e problemeve, siç thuhet në Ballkanin Perëndimorë e posaçërisht në Bosnje Hercegovinë”, thotë Komshiq./Gazeta Sinjali/