image Ambasadori i Zvicrës i interesuar për prioritetet e qeverisë së ardhshme, kështu iu përgjigj Kurti

Politikë

Ambasadori i Zvicrës i interesuar për prioritetet e qeverisë së ardhshme, kështu iu përgjigj Kurti

news image

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ka vizituar sot Lëvizjen  Vetëvendosje, me ç’rast zhvilloi një takim me Albin Kurtin.

Në njoftimin e LVV-së në Facebook për këtë takim, thuhet se ambasadori ka shprehur interesim që të dijë më shumë për prioritetet e qeverisë së ardhshme.

“Ambasadori Kolly e uroi kryetarin Kurti për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe fitoren në zgjedhje. Duke i dëshiruar sukses në punën e tij drejt formimit të institucioneve të reja, ai shprehu interesim të dijë më shumë rreth prioriteteve të qeverisë së re”, thuhet në një njoftim të VV-së.

Kurti e ka njoftuar ambasadorin për disa prej prioriteteve që mes tjerash prekin dhe thellojnë bashkëpunimin e mirë mes dy shteteve.

“Detyra e parë e jonë si ekzekutiv do të jetë sigurimi i vaksinës kundër Covid-19, në sasi sa më të madhe dhe sa më shpejt, e për këtë besojmë se shtetet mike do na ndihmojnë, tha Kurti. Së dyti, është çështja e ekonomisë dhe drejtësisë. Ne jemi të interesuar të krijojmë mundësi të reja që diaspora jonë, biznesmenët tanë, dhe investitorë të huaj, t’i orientojnë investimet e tyre edhe në Kosovë. Në këtë pikë, ashtu si edhe në çështje që lidhen me drejtësinë dhe sundimin e ligjit në vend, ne besojmë se bashkëpunimi mes dy shteteve tona do të sjell rezultate të frytshme”, thekson njoftimi i kësaj partie.

Ndërsa ambasadori Kolly, theksoi mbështetjen e shtetit Zviceran për të kontribuuar në shtetndërtimin demokratik dhe zhvillimin socio-ekonomik në Kosovë.

/GazetaSinjali/