image Ambasadori amerikan: Jemi falënderues për marrëveshjen e arritur – të merret me urgjencë propozimi për normalizim

Politikë

Ambasadori amerikan: Jemi falënderues për marrëveshjen e arritur – të merret me urgjencë propozimi për normalizim

news image

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka thënë se qeveria amerikane është falënderuese për marrëveshjen që është arritur dje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Hovenier, ka deklaruar se dje Qeveria e Kosovës shkoi aty ku Perëndimi dëshironte të shkonte.

“Një nga gjërat, për të cilat unë jam falënderues dhe mendoj se e tërë ambasada e SHBA-së dhe qeveria e SHBA-së është falënderuese, është fakti se një marrëveshje u arrit dje me lehtësimin e BE-së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të bërë dy gjëra, mendoj shumë të rëndësishme. Një është që të shmanget eskalimi i mëtutjeshëm dhe të ndërmerren hapa që e reduktojnë eskalimin e krijuar për implementimin e regjimit të targave të veturave dhe zotimi i dytë ishte që me urgjencë të merret ky propozim për normalizim që është prezantuar nga Bashkimi Europian dhe është mbështetur nga Franca dhe Gjermania që të vazhdohet me këtë çështje shumë të rëndësishme”, ka thënë Hovenier për Klanin.

Ndryshe, kryediplomati evropian, Josep Borell, mbrëmë ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për masat që ndihmojnë në shmangie të tensioneve dhe për koncentrim të plotë në propozimin për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Borrell njoftoi se tash e tutje në Bruksel do të ketë bisedime për normalizim marrëdhëniesh dhe nëse njëra palë bllokon BE do ta ndërprejë procesin.

Po ashtu në deklaratën e Borell u tha që palët e kuptojnë se duhen implementuar marrëveshjet në Bruksel, një referencë kjo për Asociacionin, për të cilën  Kurti ka hapur rrugë që Serbia ta trajtojë si çështje në kuadër të propozimit franko- gjerman.

Kujtojmë që takimi në Bruksel u zhvillua vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, e ka hedhur fajin sidomos te pala e Kosovës për mosarritje të marrëveshjes.

/GazetaSinjali/