Konsumimi i tepërt i alkoolit është një ndër shkaktarët që shtyjnë burrat të bëjnë veprime të dhunshme, ku shpesh herë viktima janë partneret dhe familjarët e tyre. Si rrjedhojë, shumë nga ta përfundojnë prapa grilave për dhunë në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në një familje në rrugën ‘Bajram Gashi’ në Lipjan, ku një burrë dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 32-vjeçarja ka pësuar lëndime trupore shkaku i dhunës, për çka edhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë ajo rastin e ka denoncuar edhe në Polici, ku ka rrëfyer në detaje se si ka ndodhur ngjarja. I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim ku i është nënshtruar edhe testit për alkool e që ka rezultuar në gjendje të dehur.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima ka shkuar te familja e saj.