Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka folur pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku ai po akuzohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, sa ishte drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.
Aliu tha se aktakuza ndaj tij nuk ka bazë ligjore.
Sipas tij, me vendimin për mos lëshimin e lejes së ndërtimit, ai vetëm ka mbrojtur pronën publike.
“Ajo çka kemi bërë ne dhe unë si drejtor, e kam mbajtur interesin publik, në këtë rast në ‘Prishtinën e re’ të ketë shkollë, siç e parasheh plani. Që të jepet një leje duhet të bazohemi në plan dhe ne jemi bazuar në plan”.
“Këto plane janë aprovuar nga Kuvendi Komunal dhe janë vërtetuar ligjërisht dhe nuk ka mundësi tjetër që Drejtoria e Urbanizmit të jep leje ndryshe nga këto plane. Aktakuza nuk ka bazë. Kemi zbatuar ligjin dhe kemi mbrojtur pronën publike”, tha ai para gazetarëve.
Aliu u shpreh optimist se gjykata do të marrë vendimin e duhur.
Ndërsa Avokati i Aliut, Fatlum Podvorica, vlerëson se ka prova për hudhjen poshtë të aktakuzës.
“Në rastin konkret kallëzimi penal është ngritur nga Dan Imeri, që i bie se aktakuza është ngrit pas dy vite e dy muaj dhe në rastin konkret ka bazë ligjore për hudhje të aktakuzës si të paafatshme”, tha ai./Gazeta Sinjali/