image Avokati i Liburn Aliut kërkon të hudhet poshtë aktakuza

Drejtësi

Avokati i Liburn Aliut kërkon të hudhet poshtë aktakuza

news image

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është duke u mbajtur seanca gjyqësore për rastin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, i cili bashkë me disa persona të tjerë po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte drejtor në Komunën e Prishtinës, raporton Gazeta Sinjali.

Avokati i ministrit Aliu ka kërkuar që kjo aktakuzë të hudhet poshtë, duke përmendur edhe një provë plotësuese për kërkesën e tij.

“Procedura administrative e cila është paraqitur sipas kërkesës së Dan Imerit, nuk është dashur të zhvillohet, për arsye se kemi të bëjmë me çështje paraprake dhe kjo është në nenin 85 i Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative. Andaj, konsideroj që edhe kjo është një provë plotësuese e kërkesës për hudhjen e aktakuzës”, tha ai.

Në këtë aktakuzë, krahas Liburn Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik 2020, Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, duke mos e zbatuar planin zhvillimor urban si plan hapësinor i nivelit më të lartë që në lagjen “Prishtinën e Re” Zona Perëndim ka paraparë ndërtim individual për banim, në atë mënyrë që i pandehuri Liburn Aliu ka nxjerr Vendimin Nr 05-351-290419 të datës 27.02.2017, si dhe vendimin me 05 nr.351-290419 të datës 21.06.2017 së bashku me të pandehurit Nazife Krasniqi dhe Zejnulla Rexhepi.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Liburn Aliu, Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në pikën e dytë të kësaj aktakuze, Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi po akuzohen edhe se në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës nuk kanë zbatuar vendimin nr. A-231/2017 të datës 06.09.2017 të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë A.Nr.1827/17 të datës 08.11.2017 dhe të njëjtit nuk kanë zbatuar Aktvendimin A.nr 514/2017 të datës 30.11.2017 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilët Aktvendime refuzohet i pabazuar propozimi i paditësit Komuna e Prishtinës për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit me numër A-231/17 të datës 06.09.2017, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Ardian Olluri, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/