image Alergjia në injeksion ia mori jetën 40-vjeçares nga Kamenica/ Burri i saj fajëson mjekët

Siguri

Alergjia në injeksion ia mori jetën 40-vjeçares nga Kamenica/ Burri i saj fajëson mjekët

news image

Gazeta Sinjali raportoi dje se një 40-vjeçare nga Kamenica dyshohet se pësoi arrest kardiak pas marrjes së një injeksioni kundër gripit sezonal në fshatin Rogaçicë të Kamenicës. Për shkak të gjendjes së rëndë, gruaja u dërgua në Spitalin e Gjilanit, por pa shenja jete.

Por, fajin për vdekjen e 40-vjeçares, burri i saj po ia lë mjekëve, pasi sipas tij nuk e kanë trajtuar si duhet.

Nga Emergjenca QKUK është raportuar se viktima femër kosovare kishte ndërruar jetë. Sipas ankuesit mashkull  kosovar gruaja e tij kishte ndërruar jetë si shkak i mostrajtimit të duhur nga ana e mjekëve. Sipas ankuesit, viktima fillimisht ka pranuar tretman mjekësor në fshatin Rogaçicë pasi që ishte me grip sezonal dhe pas marrjes se një ampule (gjilpëre) kishte pësuar arrest kardiak-shok. Rasti nën hetime“, ka njoftuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.

Si ndodhi rasti?

Nga Rogoqica, 40-vjeçarja u dërgua me autoambulancë për në Spitalin e Gjilanit. Aty u reanimua për rreth 40 minuta nga stafi mjekësor. Në bazë të disa parametrave, ata kanë arritur ta kthejnë në jetë. Por si pasojë e gjendjes, e njëjta është transportuar për në Emergjencën e QKUK-së.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Spitali i Gjilanit. Drejtori Arsim Emini, ka dhënë detaje se çka ndodhi kur viktima u dërgua në spital.

Emini tha për Gazetën Sinjali se pacienten e pranuan pa shenja jete dhe me bebëza të zgjeruara. Pavarësisht tentimeve, ai thotë se parametrat se është kthyer në jetë nuk ishin të qëndrueshme.

“Sot e kemi marrë vesh lajmin për vdekjen. Mbrëmë është pranu në Spital të Gjilanit dhe është reanimu 40 minuta dhe janë kthyer disa nga parametrat. Ajo ka ardhë me bebëza të zgjeruara. Pra ka ardhur në spital pa shenja jete, 40 minuta është reanimu, por që parametrat nuk kanë qenë të qëndrueshme. Nuk mund të themi saktësisht se është kthyer në jetë. Ajo më pas është dërguar në QKUK. Dyshimi është që e ka marrë një antibiotik në formë intramuskulare dhe dyshohet se ka pësuar arrest kardiak. Kjo është vetëm supozim tash për tash“, tha Emini për Gazetën Sinjali.

/GazetaSinjali/