Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kurti ka thënë se sot Thaçi do të duhej të merrte pjesë në seancën ku do të dëgjohej Vasfije Krasniqi-Goodman, e jo të organizojë takime të ndara për të përçarë.
Ai në një përgjigje për Kohën, ka thënë se si kryetar i Vetëvendosjes nuk ka gatishmëri ta takojë presidentin aktual.
“Janë dy arsye pse sot nuk do ta zhvillojë takimin e paraparë me Presidentin e Kosovës: E para, sot është dita kur duhet të dëgjohet Vasfija, znj. Vasfije Krasniqi-Goodman. Është dashur të vijë edhe Presidenti të dëgjojë në Kuvend. Jo të organizojë takime të ndara për të përçarë. Së dyti, Presidenti sot e paska lënë t’i takojë krerët e partive. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk kam as interes e as gatishmëri ta takoj Presidentin aktual. Si Kryeministër e kam obligim. Takohemi një ditë tjetër kur të mbarojë me partitë”, citohet ka thënë Kurti.
Presidenti i Republikës së Kosovës deri më tani ka zhvilluar takime me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të PDK-së, Kadri Veseli si dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Teksa ka thirrur në takim edhe kryetarin e NISMA-s, Fatmir Limajn si dhe kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin të cilët pritet t’i takojë gjatë ditës./Gazeta Sinjali/