Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka krahasuar zgjedhjet e 14 shkurtit me referendumin e vitit 1991, atëherë kur populli votoi pro shpalljes së Kosovës shtet të pavarur nga Jugosllavia.
“Në vitin 1991 ne kishim referendumin për pavarësi. Atëherë dolëm Krejt dhe vendosëm Drejt duke votuar masivisht për pavarësinë e vendit sepse e dinim vlerën e secilës votë. 30 vjet më vonë jemi përballë një referendumi të dytë për të vendosur për të ardhmen tonë”, ka thënë Kurti në një video të postuar në Facebook.
Kryetari i LVV-së ka shtuar se keq-qeverisja në Kosovë duhet të marrë fund të dielen.
“Dy dekada të keq-qeverisjes me dështime e me korrupsion, pa punë e pa drejtësi, duhet të marrin fund me 14 shkurt që ta kthejmë zhvillimin e ta bëjmë progresin”, ka shkruar ai tutje në Facebook.
Kurti po garon në këto zgjedhje edhe pse nuk i është lejuar të kandidojë për shkak të veprës penale të kryer brenda periudhës trivjeçare, që është kusht për lejim për të kandiduar.