image Akuzat për keqpërdorim të 12 milionë eurove, ShSKUK i reagon ashpër Bekim Haxhiut

Shëndetësi

Akuzat për keqpërdorim të 12 milionë eurove, ShSKUK i reagon ashpër Bekim Haxhiut

news image

Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës sot, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që të përgjigjet për 12 milionë eurot nga Bordi i ShSKUK-së, që dyshohet se janë keqpërdorur.

Rreth kësaj ka reaguar Bordi i ShSKUK-së, duke thënë se deklarata e Haxhiut është shpifje, dhe sipas tyre Bordi Drejtues nuk ka në menaxhim buxhetin e ShSKUK-së.

“Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ( ShSKUK), me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, lëshon këtë njoftim sqarues lidhur me shpifjet e bëra sot në adresë të Bordit, nga Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, z.Bekim Haxhiu, përfshirë shkrimet në portalet e ndryshme. Bordi Drejtues njofton se në kuadër të kompetencave të tij ligjore nuk e ka në menaxhim buxhetin e SHSKUK-së dhe si rrjedhojë nuk ka se si të krijojë dëmin në shumën e përmendur nga zotëri Haxhiu.” – thuhet në reagim.

Ndër të tjera Vordi i ShSKUK-së ka thënë se deputeti Haxhiu në vazhdimësi ka bërë deklarata tendencioze, që sipas tyre ka qëllim degradimin e autoritetit të anëtarëve të Bordit Drejtues.

“Deklarimet e z.Haxhiu janë në vazhdimësi tendencioze dhe me qëllim të degradimit të autoritit të anëtareve të Bordit Drejtues. Aq më tepër kur fjala është për një profesionist shëndetësor që madje as gjatë Pandemisë Covid -19, nuk ka dhënë asnjë kontribut në trajtimin e qytetarëve në nevojë, përfshirë edhe kryerjen e ushtrimeve fizioterapeutike për të cilat është i thirrur. Andaj, konsiderojmë se ky keqpërdorim i imunitetit të deputetit deri në këtë masë, duke plasuar të pavërteta me metodat tashmë të njohura të dezinformimit, është tendencë për arritje të qëllimeve politike, duke ndikuar direkt në humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet publike shëndetësore.” – thuhet në reagimin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës.

/GazetaSinjali/