Akulli që ka rënë nga krahu i një turbine të kompanisë “Air Energt SH.P.K Guris” në Velegllavë të Epërme të Kamenicës ia ka thyer xhamin veturës së një qytetari që banon në atë pjesë.
Banori i këtij fshati, Xhemajl Kqiku, ka dërguar pamje në adresë të Gazetës Sinjali, ku shihet se si i është dëmtuar vetura nga akulli.
Kqiku thotë se veturën e kishte lënë rrugës për në oborrin e shtëpisë së tij, ditën e hënë. Ndërkaq sot, kur ka dalë për ta marrë, e kishte vërejtur dëmin dhe menjëherë e ka njoftuar Policinë.
Sipas tij kjo nuk është hera e parë që vetura i është dëmtuar nga akulli që bie nga turbinat. Kjo pasi që turbinat e kësaj kompanie turke janë të ndërtuara shumë afër vendbanimeve.