Amar Pushka, punëtor i qendrës tregtare ETC në Pejë sot e ka lënë punën, siç thotë për shkak të presioneve nga menaxhmenti.
“Prej që jam deklaruar publikisht që nuk e votoj PDK-në, kam pas presion nga menaxhmenti, nga krejt personat kompetent në kompani”, ka thënë Pushka, i cili është edhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ish- punëtori i Ramiz Kelmendit ka thënë se çdoherë ka qenë i rregullt në punë dhe nuk ka pasur ndonjë problem, por që kohëve të fundit ka pasur provokime nga më të ndryshmet.
“Unë s’jam vonuar asnjëherë, nuk ka ndodh mos me kry punën që jam ngarku. Por pasi është publikuar lajmi vazhdimisht më kanë ngarkuar dyfish me punë dhe jam provokuar në forma të ndryshme. Presioni më ka detyruar ta lë punën” ka thënë Pushka.
Gazeta Sinjali ka raportuar më herët se pronari i ELKOS Group, Ramiz Kelmendi kishte njoftuar punëtorët e ETC-së në Ferizaj se do të duhej të merrnin pjesë në një mbledhje, që në fakt do të ishte fushatë dhe përpjekja e fundit e Kelmendit për t’ua marrë votat punëtorëve, por që kishte dështuar të mbahet.
I njëjti kishte organizuar mbledhje të tilla edhe me punëtorët e ETC 1 dhe ETC 2 në Prishtinë, si dhe me punëtorët e ETC-së në Prizren, duke i porositur ata, siç kishte paralajmëruar, që të gjitha votat e tyre të shkojnë për PDK-në.
Disa ditë më parë Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj Ramiz Kelmendit pas deklaratave të tij se ka kërkuar votat nga të punësuarit në kompaninë e tij.
Kelmendi po dyshohet për veprën penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal është e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burg./Gazeta Sinjali/