Ish-kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, Valdrin Ahmeti, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka bërë thirrje për të protestuar në kohën kur Kuvendi po diskuton mocionin për rrëzimin e qeverisë. Ai ka thënë se në ora 16:20, pas përfundimit të ndalesës së lëvizjes se qytetarëve, do të dalë në protestë, ndonëse tha se “e di se rreziku është i madh”.
Për këtë protestë është sqaruar Vetëvendosje.
Zëdhënësi për media i kësaj partie, Arlind Manxhuka përmes një postimi në profilin e tij ‘Facebook’ ka thënë se protesta është thirrur nga individë e aktivistë të cilët kanë mendim dhe qëndrim edhe përtej subjekti.
Postimi i plotë:
Sqarim për opinionin publik
Protestat apo organizimet e thirrura nga qytetarë të ndryshëm, edhe nëse janë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk është qëndrim e as organizim apo thirrje e Lëvizjes, por thirrje individuale e këtyre aktivistëve, të cilët kanë mendim dhe qëndrim edhe përtej subjektit.
Ne i bëjmë thirrje gjithë qytetarëve dhe aktivistëve të zbatojnë masat, të ruajnë distancën dhe të kujdesen për shëndetin.