image Aktivistët e PSD-së u vendosin etiketa veturave të Qeverisë

Politikë

Aktivistët e PSD-së u vendosin etiketa veturave të Qeverisë

news image

Aktivistët e Partisë Socialdemokrate u kanë vendosur veturave të Qeverisë disa tiketa, në të cilat shkruan “KEDS”. Sipas tyre, Qeveria po i shërben kësaj kompanie.

Në një aksion pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, anëtarët e PSD-së kanë vendosur që veturat zyrtare pranë Qeverisë t’i  etiketojnë si të kompanisë private, e cila bën distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë.

“Veturave të Qeverisë sot ua vendosëm tabelat treguese. Këto tabela janë në përputhje të plotë me funksionin e vërtetë të Qeverisë. Qeveria është në shërbim të KESCO-s”, ka shkruar zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi, në Facebook.

“Të shtunën mbrëma, në një mbledhje të parregullt dhe pa asnjë shpjegim, buxheti për kompaninë KESCO u rrit nga 75 në 90 milionë. Ende pa vendim të ZRrE-së për çmimin dhe pa asnjë zhvillim të ri, 15 milionë u shtuan. Pse? Kjo veçse tregon që Qeveria, KEDS dhe ZRrE janë e njëjta gjë”, thuhet tutje në postimin e saj.

PSD-ja i ka shpeshtuar aksionet e saj kundër Qeverisë, ndërsa para një jave ka organizuar një protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.

Ajo protestë, në fakt një përballje fizike me një polic, u bë shkak i arrestimit të kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj.

Fill pas protestës, dolën pamjet ku Molliqaj shihej se po e godiste me shuplakë një polic, derisa po tentonte t’i bindte pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ta lejonin ta mbante një fjalim në shkallët e Qeverisë. /Gazeta Sinjali/