Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.A., H.A., dhe V.D., për veprat penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar, sipas KPRK-së.
I pandehuri M.A., më parë e deri më 06.10.2019, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka poseduar armë dhe municion, pikërisht një revole të markës Ekol Special 99 kalibër 9 mm, dhe një karikator të zbrazët.
Arma dhe municioni i janë gjetur në shtëpinë e tij, ku edhe janë sekuestruar. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Të pandehurit H.A., dhe V.D., më 05.10.2019, rreth orës 22:00, në Gjakovë, në mënyrë të kundërligjshme, parandalojnë, pengojnë, duke ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2019.
Ata kanë vepruar sipas marrëveshjes paraprake, duke i shumëzuar një numër të konsiderueshëm të afisheve, ku bëjnë thirrje votuesve për mos pjesëmarrje në votime, me mbishkrimin “Kujdes votimi për ligjet e nxjerra nga njeriu është SHIRK, t’i bësh ortak Allahut”, më pastaj i kanë shpërndarë ato në vende të ndryshme publike në Komunën e Gjakovës.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit në bashkëkryerje, kanë përmbushur elementet e veprës penale parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë që të tre të pandehurit të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /Gazeta Sinjali/