image Aktakuzë ndaj dy burrave të dyshuar për rrahjen brutale në Prizren, për tjetrin pushojnë hetimet

Drejtësi

Aktakuzë ndaj dy burrave të dyshuar për rrahjen brutale në Prizren, për tjetrin pushojnë hetimet

news image

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj Liridon Ukës dhe Besnik Ukës, të cilët akuzohen për rastin e rrahjes brutale të një qytetari nga Suhareka, më 22 janar në Prizren. Ndërsa ndaj Bashkim Muqajt, i cili po ashtu dyshohej për këtë rast, Prokuroria ka marrë aktvendim për pushim të hetimeve, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj Liridonit dhe Besnikut, e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.

Ai njoftoi se Liridon Uka dhe Besnik Uka dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale sulm dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

“Më datë 04.02.2022, Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar aktakuzën nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm ndaj të pandehurve L.U., dhe B.U., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale Sulm nga neni 184 par.2 lidhur me nenin 31, dhe Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 321 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Lënda është pranuar dhe i është ndarë në punë gjyqtari të rastit”, njoftoi Lekaj për Sinjali.

Nga dy të akuzuarit, vetëm Liridon Uka gjendet në paraburgim, nga 25 janari, raporton Sinjali.

“I pandehuri L.U., me Aktvendim të datës 25.01.2022 i është caktuar masa e paraburgimit (në bazë të kërkesë së Prokurorisë Themelore në Prizren), dhe i njëjti gjendet nën masën e paraburgimit deri më datë 24.02.2022.”, thuhet tutje në përgjigje.

Besnik Uka

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se  ndaj Bashkim Muqaj,  është marrë aktvendim për pushim të hetimeve, pasi sipas Prokurorisë nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale.

Bashkim Muqaj dhe Liridon Uka

Pamjet ekskluzive të rrahjes

Gazeta Sinjali pati publikuar pamje ekskluzive të këtij sulmi që ndodhi më 22 janar.  

Viktima L.M (emër i njohur për redaksinë) u sulmua pamëshirshëm  nga të dyshuarit, derisa ishte në veturën e tij. Gjithë sulmi ndaj tij, dyshohet se ndodhi për shkak të mosmarrëveshjeve për pronë që kishin palët mes vete.

Në pamjet ekskluzive të siguruara nga kamerat e sigurisë, të vendosura në një nga objektet në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja, shihet gjithë sulmi brutal që pësoi qytetari nga Suhareka.

Derisa njëri nga të dyshuarit e sulmonte pamëshirshëm me një shufër, i dyshuari tjetër thoshte “theja kamtë”, duke tentuar që ta sulmojnë viktimën edhe me thikë.

Për të mos mbaruar me kaq, i njëjti shkon prapa veturës së viktimës dhe e merr një shufër tjetër, për t’i dalë në “ndihmë” mikut të tij.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/