image Aksioni “Pika 2” – Policët që pritet të arrestohen dyshohen se për muaj të tërë kanë marrë ryshfet në kufi - VIDEO

Siguri

Aksioni “Pika 2” – Policët që pritet të arrestohen dyshohen se për muaj të tërë kanë marrë ryshfet në kufi – VIDEO

news image

Në kuadër të luftës kundër krimit dhe korrupsionit në pikat kufitare, në vazhdën e aksionit “Pika”, Inspektorati Policor i Kosovë sot ka zbarkuar në pikën kufitare në Vërmicë, pas identifikimit të zyrtarëve policorë që dyshohen të jenë të përfshirë në disa vepra penale.

Lidhur me aksionin janë deklaruar nga IPK, të cilët kanë bërë të ditur se operacionit të sotëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë, raporton Gazeta Sinjali.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së. Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit, si dhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).

Prokurorët e Departamentit për Krim të Organizuar dhe krime të tjera në kompetencë të PRSK-së që kanë zhvilluar hetimet në këtë rast janë Burim Çerkini dhe Haki Gecaj, raporton Gazeta Sinjali.

Përveç zyrtarëve policorë të Kosovës, sipas burimeve të Sinjalit në pranga do të bien edhe zyrtarë policorë të Shqipërisë, të cilët dyshohen se për muaj të tërë u kanë  mundësuar dhjetëra qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.

Sinjali do të ju sjellë detaje të reja nga ky aksion i nisur në orët e mëngjesit të sotëm.

/GazetaSinjali/