image Aksioni i PSD-së para Qeverisë: Parja shkon te parja

Politikë

Aksioni i PSD-së para Qeverisë: Parja shkon te parja

news image

“Parja shkon te parja”, është aksioni i titulluar nga Partia Socialdemokrate (PSD) e cila po kritikon qeverinë Hoti për masat e ndërmarra në raport me Pandeminë COVID-19.

Dren Kukaj nga PSD ka folur rreth ndarjes së 60 milionë eurove nga Qeveria Hoti, e që theksoi që kjo është ndihmë për bizneset e jo për punëtorët. Për çka ai thotë se ndihma ndaj punëtorëve nuk duhet të bëhet përmes bizneseve.

“Për Partinë Socialdemokrate përgjigja që i është dhënë nga Qeveria Hoti krizës ekonomike ka dy probleme. Problemi i parë është për shkak të qasjes së saj dhe e dyta është për shkak të efektit që e prodhon në shoqëri. Sa i përket çështjes së parë, javën e kaluar u tha se 60 milionë euro do të ndahen për punëtorët, mirëpo ne ishim dëshmitarë që ato para nuk i mori punëtori por ato para shkuan tek bizneset. Qeveria asnjëherë nuk duhet të komunikoj me punëtorët përmes bizneseve sepse bizneset nuk janë dhe nuk duhet të jenë ata përfaqësues të punëtoreve, nuk duhet të jenë punëdhënësit përfaqësues të punëtorëve”, tha ai.

Kukaj tutje ka thënë se këto ditë qeveria ka pranuar mjete edhe për punëtorët që tashmë nuk i kanë në punë, por që nuk ka garanci nëse ata do të kthehen në punë.

“Qeveria qëllimin e vet që ka proklamuar rritjen e kërkesës në konsum nuk duket që do ta mbërrij përmes pakos prej 60 milionë eurove si dhe përmes fondit të Trustit Pensional. Mu për shkak që ata që kanë më së paku të hyrave si dhe një numër i madh i punëtorëve që kanë mbetur pa punë shkak i kësaj krize nuk do ta ndjejnë ndihmën e shtetit…janë gati rreth 50 mijë punëtorë që kanë ngelur pa punë dhe të cilët nuk do ta ndjen ndihmën e shtetit. Gjithashtu duhet theksuar që bizneset këto ditë kanë pranuar mjete edhe për punëtorët që tashmë nuk i kanë në punë dhe nuk ka asnjë garancë që këta punëtorë do të kthehen në punë. Gjithashtu duhet theksuar se trajtimi i sheshtë që është bërë nëpërmjet këtij subvencioni vetëm se po e mirëmban por edh po e thellon pa barazinë që po ekziston. Mesatarisht një biznes i vogël po i merr 800 euro ndërsa, një biznes i madh po i merr rreth 200 mijë euro. Gjithashtu edhe efektet e përqindëshit të Trustit Pensional janë të kufizuar pasi që rreth 80% e kontribut dhënësve do të marrin 110 euro në muaj që është shumë më pak se paga minimale në muaj. Përderisa vetëm 6% do të arrijnë të marrin mbi 1700 euro”, tha Kukaj.

Mes tjerash pas aksionit ai tha edhe se kjo krizë sikurse gjithë të tjerat nuk i prekë të gjithë njësoj.

“Edhe kjo krizë sikurse çdo krizë tjetër nuk i prekë të gjithë njësoj. Ata që kanë më shumë do ta ndjejnë më pak, ndërsa ata që kanë më pak do e ndjejnë më shumë dhe për ta përgjithësuar këtë ndihmë apo këtë skemë që e ka lansuar qeveria ne mund të themi se bizneset e mëdha qeveria po i ndihmon me miliona, përderisa punëtorët po detyrohen që të hanë pensionet e tyre. Ne me këtë aksion këtu shpresojmë që kryeministri Hoti dhe gjithë qeveritarët tjerë që janë veshur me pushtet të shohin të ilustruara pabarazitë që ngjajnë për shkak të kësaj krize dhe shpresojmë që ata do të reflektojnë dhe më pastaj duke pas parasysh që të ndihmojnë dhe t’iu dalin në ndihmë atyre që patën më së shumti nevojë nga kjo qeveri”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/