image Aksioni i IPK-së: Konfirmohet arrestimi i policit dhe katër qytetarëve, këto janë veprat për të cilat dyshohen

Siguri

Aksioni i IPK-së: Konfirmohet arrestimi i policit dhe katër qytetarëve, këto janë veprat për të cilat dyshohen

news image

Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Policinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar sot aksion policor, që rezultoi me arrestimin e disa personave, në mesin e të cilëve edhe një zyrtar policor. Operacioni policor u zhvillua në pesë lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës dhe bixhoz të paligjshëm, raporton Gazeta Sinjali.

Gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar  gjësende të ndryshme përfshirë: disa telefona mobil, dy USB  para të gatshme, dy pistoleta etj.

Të ndaluar si pjesë e këtij operacioni janë pesë persona të dyshuar, një zyrtar policor dhe katër qytetar.

Veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, neni 414, “Armëmbajtje pa leje” nga neni 366, “Dhënje ndihme kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” nga neni 33 dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm” nga neni 294 i Kodit Penal të Kosovës.

Në prangat e IPK-së, Sinjali sot raportoi ekskluzivisht se ka rënë Safet Nura, zyrtari policor në Stacionin Policor “Jugu”, në Prishtinë, si i dyshuar për veprën penale ‘organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.

Sinjali ka siguruar tashmë edhe fotografinë e policit, që dyshohet se është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme.

Përveç tij, sipas informacioneve të para, deri më tani në pranga kanë rënë edhe katër qytetarë.

Gjatë këtij aksioni, pritet të sekuestrohen edhe prova të ndryshme, që do të shfrytëzohen si dëshmi lidhur me hetimin e mëtutjeshëm të rastit.

/GazetaSinjali/