image Krimet Ekonomike me aksion në Gjilan e Kamenicë, arrestohen 3 zyrtarë dhe pronari i një kompanie

Siguri

Krimet Ekonomike me aksion në Gjilan e Kamenicë, arrestohen 3 zyrtarë dhe pronari i një kompanie

news image

Katër persona janë prangosur nga Policia e Kosovës në një aksion të zhvilluar në rajonin e Gjilanit e Kamenicës, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një komunikate për media, Policia ka njoftuar se tre nga të dyshuarit janë zyrtarë të Komunës, ndërsa i katërti është pronar i një kompanie.

Ata dyshohet se kanë manipuluar me një tender në vlerë të 35 mijë eurove për furnizim për shkolla në Kamenicë.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim të pozitës zyrtare” dhe “Keqpërdorim dhe Mashtrim në Prokurim Publik”.

Sipas njoftimit të policisë, anëtarët e komisionit të Komunës, zyrtarët me inicialet P.J., I.Z. dhe F.D., dyshohen se kanë nënshkruar pranimin e mallit, pa ardhur fare malli për të cilin kishin hapur tender, duke i mundësuar pronarit të kompanisë A.K., që të përfitojë mbi 35 mijë euro.

“Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare’, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik'”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjilan, ka zhvilluar hetime lidhur me një tender furnizimi për shkolla në Kamenicë, ku të dyshuar ishin komisioni vlerësues i Komunës dhe pronari i një kompanie, të cilët dyshohej se kanë mashtruar me një procedurë tenderuese për një tender me vlerë prej mbi 35 mijë euro (€) .

Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante se komisioni prej tre (3) anëtareve kanë nënshkruar raportin e pranimit të mallit, pa ardhur malli, duke dëmtuar buxhetin e komunës, e duke i mundësuar operatorit ekonomik përfitim të kundërligjshëm për shumën e lartcekur.

Me këto veprime të dyshuarit me iniciale (P.J., I.Z. dhe F.D), dyshohet se kanë kryer veprën penale ,”Keqpërdorim i Pozitës apo autoritetit zyrtare”, ndërsa i dyshuari me iniciale (A.K.) pronar i kompanisë dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme në vlerë mbi 35 mijë €uro, për tenderin në fjalë, pasi që i njëjti nuk i është përmbajtur kontratës dhe deri tani nuk ka bërë furnizimin me mall, me çka dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në Prokurim Publik”.

Sot me datën 09.02.2022 në cilësinë e të dyshuarave janë intervistuar pronari i kompanisë dhe tre anëtaret e komisionit të përmendur më lartë me iniciale, në prezencën e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistave katër të dyshuarit, me Aktvendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë për proceduar të mëtejme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/