Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të enjten në mbrëmje në autostradën A555, në drejtim të Këlnit.
Sipas autoriteteve gjermane, aksidenti ndodhi rreth orës 22:01, në segmentin ndërmjet daljeve Bornheim dhe Wesseling. Për shkaqe që ende nuk janë sqaruar, një veturë e tipit Lamborghini doli nga rruga, depërtoi barrierën mbrojtëse dhe u përplas fuqishëm në një pemë.
Si pasojë e goditjes së fortë, automjeti u copëtua në disa pjesë, ndërsa disa prej fragmenteve u përfshinë nga flakët.
Dy personat që ndodheshin brenda veturës u hodhën jashtë gjatë përplasjes. Njëri prej tyre pësoi lëndime fatale. Ekipet emergjente tentuan ta reanimonin, por ai ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Personi tjetër pësoi lëndime të rënda dhe, pasi mori ndihmën e parë, u dërgua për trajtim të mëtejshëm në një spital në Bon.
Në vendin e ngjarjes ndërhynë zjarrfikësit, të cilët shuan flakët, ndihmuan ekipet mjekësore dhe ndriçuan zonën për t’u mundësuar autoriteteve kryerjen e hetimeve.
Gjatë bllokimit të trafikut, në kolonën e krijuar u regjistrua edhe një rast tjetër urgjent shëndetësor, për të cilin u angazhuan ekipe shtesë të ndihmës së shpejtë.
Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit tragjik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!