Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Rifat Ukimeri” në Prizren, ku në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura.
Deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur për shkak të mosmbajtjes së distancës së mjaftueshme nga njëri shofer, i cili ka goditur veturën që ndodhej para tij.
Si pasojë e aksidentit, një person ka marrë lëndime trupore dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor, teksa në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Policia.