Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 18:00 në aksin rrugor Crep-Hodonoc, në komunën e Kamenicës, ku lëndime trupore kanë pësuar tre persona, shkruan Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se deri te aksidenti ka ardhur pasi dy veturat ishin duke lëvizur në kahe të ndryshme, por në një moment njëra nga to ka kaluar në shiritin e kundërt dhe e ka goditur veturën tjetër.
Sipas të njëjtave burimeve, shoferët e dy veturave dhe njëra pasagjere kanë pësuar lëndime të rënda dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Gjilanit.
Më pas, njëri shofer është transferuar në QKUK, ndërsa dy personat tjerë janë ndaluar në repartin e ortopedisë në Gjilan, por siç mëson Sinjali, të gjithë janë jashtë rrezikut për jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar.