image AKK: Web-faqet e komunave dalin jashtë funksionit, MAPL po hesht

Kosovë

AKK: Web-faqet e komunave dalin jashtë funksionit, MAPL po hesht

news image

Foto ilustruese


Asociacioni i Komunave të Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se webfaqet e komunave janë jashtë funksionit.

Sipas AKK-së, bllokimi i webfaqeve ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen webfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, e të cilat janë tërësisht në nivelin qendror.

Madje, theksojnë se kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal por që nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

Njoftimi i plotë:

Përkundër problemeve të vazhdueshme me muaj të tërë, në ditët e fundit funksionimi i webfaqeve të Komunave është tërësisht jashtë funksionit. Komunat e Republikës së Kosovës, ende janë duke u ballafaquar me probleme në fushën e teknologjisë informative, mosfunksionimin e webfaqeve të Komunave dhe kjo po vështirëson punën në kryerjen e detyrave të përditshme. Kështu problemet me webfaqe në Komuna po kanë efekt edhe në afate ligjore të Komunave në shume procese, pastaj qytetarët po ankohen për mungesë transparencë dhe kështu ky problem është bërë pengesë e jashtëzakonshme në kryerjen e punëve ditore të Komunave të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë problem, Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka dërguar disa kërkesa Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por pa ndonjë efekt pozitiv në këtë drejtim. Komunat edhe një herë shprehin nevojën urgjente në tejkalimin e kësaj situate nga institucionet përgjegjëse sikurse është Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Sipas zyrtarëve komunalë, kjo po ndodh kryesisht për shkak të problemeve apo ngarkesave në serverat që mirëmbahen webfaqet e komunave dhe të problemeve të natyrës së tillë, e të cilat janë tërësisht në nivelin qendror. 

Duhet ritheksuar se kjo gjë, ndëshkon Komunat, sidomos gjatë procesit të vlerësimit të transparencës, gjatë vlerësimit të performancës komunale, në procesin e publikimit të dokumenteve për konsultimet me publikun, sepse dihet që shumica e dokumenteve kanë afat kohor të caktuar të publikimit. Dhe këto ndëshkime pastaj bëhen tërësisht pa fajin e Komunave dhe Zyrtarëve të ngarkuar për këto çështje.

Këto shqetësime ka kohë që janë ngritur nga Kolegjiumi për Komunikim me Publikun, të Drejtorëve Komunal për Administratë dhe Kolegjiumin e Zyrtarëve Komunale të IT-ve por ende nuk ka nje zgjidhje te problemit. Ndaj kërkojmë që kjo çështje të merret seriozisht nga institucionet e nivelit qendror që janë përgjegjëse për këtë fushë.

/GazetaSinjali/