Kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, i është përgjigjur në mënyrë të përkryer talljes që Ajaxi ia bëri atij në rrjetet sociale. Mbrojtësi spanjoll ia kujtoi klubit holandez se i ka fituar katër trofe në Ligën e Kampionëve, njëjtë si Ajaxi.
Për ta festuar “#RetroMatchday”, Ajaxi e postoi një fotografi nga fitorja ndaj Real Madridit në Santiago Bernabeu sezonin e kaluar, me Ramosin duke qëndruar në tribuna dhe Dusan Tadicin në fushë në stil të njëjtë.
Ramos mungoi në ndeshjen e kthimit në Madrid pasi kishte marrë karton të verdhë qëllimisht në ndeshjen e parë në Holandë, duke kujtuar se skuadra e tij do ta kalonte Ajaxin pa problem për një vend në çerekfinale.
Por Ramos nuk vonoi dhe i reagoi Ajaxit me një fotografi të katër trofeve që i ka fituar në Ligën e Kampionëve, aq sa i ka fituar edhe Ajaxi në historinë e klubit.