image Ahmeti: VV do duhej të bënte koalicion me PDK-në ose LDK-në

Politikë

Ahmeti: VV do duhej të bënte koalicion me PDK-në ose LDK-në

news image

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se rezultati zgjedhor i 14 shkurtit nuk do duhet të krijojë kriza në ekzekutiv, meqë fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje me 48% të votave është mandat i pastër, shkruan Gazeta Sinjali.

Sidoqoftë, i pari i Prishtinës thotë se VV duhet të formojë koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës ose me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, ky koalicion do të sillte stabilitet dhe kështu VV nuk do të kishte nevojë “t’i ndjekë deputetët” për t’i marrë 60 vota.

“Unë mendoj se Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet të qeverisë vetë. Nëse i ka 58 deputetë dhe po e zëmë që merret vesh me krejt deputetët (e pakicës joserbe) në rastin më të mirë i ka 65 deputetë. Nuk mendoj se në këtë mandat duhet t’i kesh veç 65 deputetë. Slogani ‘Krejt dhe drejt’  është palidhje. S’ka nevojë të qeverisësh veç vetë. Thirre dikë prej këtyre subjekteve! Pse mos me e thirrë? Tash e ke kontrollin e plotë dhe s’mundet askush të të shantazhojë. Por tash jo në çdo mbledhje me i ndjekë deputetët, mos dikush është në pushim apo është sëmurë për me i marrë 60 vota. Do të duhej të kërkonte ndonjë koalicion dhe jo pse i duhet, por që të bie stabilitet. Do të kisha shkuar ja te LDK-ja, ja te PDK-ja”, tha Ahmeti në KlanKosova.

Ahmeti ka thënë se partitë tjera që kanë humbur zgjedhjet nuk duhet ta bllokojnë procesin e votimit të presidentit, në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të reja.

Nëse ndodh opsioni i dytë, Ahmeti thotë se Vetëvendosje do t’i marrë më shumë se 48% të votave.

“Po shkuam edhe në një palë zgjedhje, përveç që na kushton, mendoj se Vetëvendosje do t’i merr edhe më shumë se 48 për qind. Është gabim jashtëzakonisht i madh me ia pamundësuar dikujt zgjedhjen. Përveç gabimit demokratik dhe legjitimitetit, mendoj që veçse e forcojnë”, shtoi ai.

Ndërkaq, për ish-partnerin e koalicionit në zgjedhjet e kaluara kur Ahmeti ishte në krye të PSD-së, Ramush Haradinajn, tha se nuk ka legjitimitet të kërkojë postin e presidentit.

“Qysh mundesh me u bë president me 10 deputetë? S’e ka as legjitimitetin. Nuk e shoh në asnjë variant që Vetëvendosje ta votojë Haradinajn president”./Gazeta Sinjali/