image AGK dënon sulmin fizik ndaj gazetares Mejreme Gashi

Kosovë

Reagim/ AGK dënon sulmin fizik ndaj gazetares Mejreme Gashi

news image

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar në lidhje me sulmin fizik ndaj gazetares, Mejreme Gashi.

AGK ka ftuar organet e rendit që ta trajtojnë rastin me prioritet duke qenë se është hera e dytë që ekipi i Klan Kosovës pengohet në kryerjen e detyrës.

AGK është e shqetësuar me sulmin fizik ndaj gazetares së Klan Kosovës, Mejreme Gashi në fshatin Karaçevë të Kamenicës, nga persona brenda një kazinoje”, thuhet fillimisht në reagimin e tyre.

Kutjojmë se sot gazetarja derisa ishte duke e realizuar një kronikë për operimin e disa kazinove në Karaçevë, disa persona që punonin në një kazino i ka penguar prezenca e medias dhe u janë vërsulur verbalisht e më pas e kanë sulmuar edhe fizikisht gazetaren.

Fillimisht mua dhe Rilindit na janë vërsulur duke na sulmuar verbalisht me fjalët më të rënda, na shanë, na ofenduan me fjalë banale. Pastaj njëri nga ta më goditi pas koke me dorë. E kjo nuk i mjaftoi prapë vazhdoi me sulme verbale ndaj tërë ekipit të Klan Kosovës derisa u shoqërua nga të pranishëm të tjerë duke na thënë ”Ikni nga këtu”, ”Mos na xhironi veturat”, kjo pasi aty kishte njerëz që ushtronin këtë veprimtari”. Ka deklaruar ajo për mediumin në të cilin punon.

AGK ka ftuar edhe një herë organet e rendit me theks të veçantë policinë dhe prokurorinë që ta trajtojnë rastin me prioritet dhe autorët e sulmit t’i sjellin para drejtësisë.

Sulmet ndaj gazetarëve kohëve të fundit kanë marrë përmasa shqetësuese, aq sa e ka bërë këtë si profesion, nga më të vështirët për tu punuar në Kosovë. Për këto dhe arsye tjera, organet e rendit duhet të veprojnë menjëherë për t’iu mundësuar gazetarëve të punojnë pa shqetësime“, thuhet ndër të tjera në reagimin e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve gjithashtu u ka bërë thirrje gazetarëve që të mos dorëzohen përballë kërcënimeve të tilla, si dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun./Gazeta Sinjali/