Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës, Dukagjin Pupovci ka deklaruar se Agjencia e Akreditimit ka mbetur në mëshirën e politikës kosovare, pa asnjë mbikëqyrje ndërkombëtare.
Ai e bëri këtë deklaratë pas përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
Pupovci thekson se efektet e mëtutjeshme negative për arsimin e lartë në Kosovë mund të parandalohen vetëm me një konsensus të përgjithshëm politik për depolitizim të këtij sektori. Sipas tij ky mbetet obligim i qeverisë në ardhje, shkruan Gazeta Sinjali.
Eksperti i arsimit, thekson se nuk është se Agjencia e Akreditimit e Kosovës ka pasur ndonjëherë standard të lartë të performancës, por ia doli para disa viteve të bëhej anëtare e dy rrjeteve prestigjioze evropiane – ENQA dhe EQAR, para shumë agjencive të tjera të vendeve të Ballkanit. Sipas tij kjo solli lehtësira në mobilitetin e të diplomuarve, si për qëllim të vazhdimit të studimeve, ashtu edhe edhe për qëllime punësimi. Pupovci thekson se, anëtarësia në EQAR dhe ENQA shihej si një kontribut për ruajtjen e pavarësisë së Agjencisë nga politika, sepse supozohej se politika do të ishte e kujdesshme që të mos e rrezikonte këtë arritje.
“Megjithatë, në “anarkinë e organizuar” çfarë është Kosova, ku politikat bëhen në bazë të preferencave personale dhe interesave biznesore, kjo logjikë nuk vlen. Në shtatorin e vitit 2017 ndodhi ndërhyrja flagrante e Qeverisë e cila shkarkoi Bordin e Agjencisë, duke dërguar mesazhin se politika në Kosovë nuk i njeh as ligjet e vendit as standardet ndërkombëtare.Kjo rezultoi me përjashtimin e Agjencisë nga EQAR dhe degradimin e statusit të saj në ENQA.” , shkruan Pupovci.
Sipas tij ,përkundër përpjekjeve të Bordit të ri të Agjencisë, kjo situatë nuk arriti të sanohet brenda një viti dhe këto ditë u mor vendimi për përjashtimin e Agjencisë nga ENQA. / Gazeta Sinjali/