image Agjencia e Ushqimit tregon nëse produktet që futen në Kosovë janë të sigurta

Siguri

Agjencia e Ushqimit tregon nëse produktet që futen në Kosovë janë të sigurta

news image

Agjencia e Veterenarisë dhe Ushqimit ka njoftuar se për çdo produkt që hynë në Kosovë është i sigurtë për ushqim ngase kontrollohen me përgjegjësi nga autoritetet.

Në ditën e sigurisë së ushqimit, qytetarët ankohen se ushqimet që u servohen në supermarkete nuk janë shumë të sigurta. Në anën tjetër, institucionet përgjegjëse për sigurinë e ushqimeve thonë se në vend ushqimet janë të sigurta.

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci, tha për KP se produktet që ata kontrollojnë janë të sigurta dhe plotësojnë kriteret e sigurisë për përdorim.

Ai thotë se janë duke realizuar aktivitete ditore me qëllim të ofrimit të produkteve të sigurta për konsumatorët dhe qytetarët.

“Nga ajo që neve realizojmë, kontrollojmë dhe mbi të gjitha monitorojmë procesin, qoftë procesin e importit, qoftë procesin e prodhimit të produkteve ushqimore të cilat realizohen brenda vendit nga ana e prodhuesve dhe përpunuesve vendor, them me bindje të plotë që produktet të cilat neve i kontrollojnë janë produkte të sigurta dhe plotësojnë kriteret e sigurisë për përdorim. Ne si zyrtarë të institucioneve dhe titullarë të institucioneve, janë pikërisht këto produkte që i konsumojmë në tryezat tona. Kështu që në këtë drejtim Agjencia e Ushqimit është ajo e cila garanton për produktet ushqimore, të cilat prodhohen, përpunohet, por edhe ato të cilat importohen”, tha ai.

Gjinovci bëri të ditur se nga muaji janar deri në fund të muajit maj në pikat kufitare janë realizuar 16.650 kontrolle zyrtare të importit të produkteve me origjinë bimore dhe 3.081 kontrolle apo inspektime te produktet me origjinë shtazore.

Ndërsa, nga janari e deri më tani, AVUK ka larguar rreth 100 mijë kilogramë ushqim nga përdorimi.

“Nga janari deri më tani, rreth 100 mijë kilogram apo edhe litra produkte ushqimore janë larguar nga konsumi dhe nuk janë lejuar për përdorim. Janë këto shifra gjithmonë duke u bazuar nga kontrolli zyrtar dhe të realizuara në terren, por edhe nga bashkëpunimi i konsumatorëve me institucionin tonë në bazë të informimit, të cilat ata i bëjnë”, tha Gjinovci.

AVUK ka rreth 70 inspektorë sanitar, veterinarë dhe fito-sanitarë, e që sipas Gjinovcit nuk është i mjaftueshëm për të bërë kontrollimin në masën që ata dëshirojnë./ Gazeta Sinjali/