image Agim Veliu e vë në dyshim funksionimin e koalicionit LDK - VV qysh në ditët e para

Kosovë

Deklaratë/ Agim Veliu e vë në dyshim funksionimin e koalicionit LDK – VV qysh në ditët e para

news image

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, e ka vënë në dyshim funksionimin e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Veliu në tubimin elektoral të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Shkollën e fshatit Lluzhan, ka treguar edhe pse e ka çuar Podujevën në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Këtë lëvizje nuk e kam bërë për interes e as në krye në veti, po ka qenë në koordinim edhe me partinë edhe me kryetarin Isa Mustafën. Sepse ju e dini se në çfarë rrethanash u bë koalicioni dhe ju e dini si po funksionon ose nuk po funksionon ky koalicion në këto ditët e para. Nuk do të lejojmë që dikush të na prishë me miqtë tanë ndërkombëtarë e sidomos me SHBA. Dhe iu themi atyre se me qëllim apo pa qëllim po e bëjnë, por iu themi jo”, citohet të ketë thënë ai para të pranishmëve.

Veliu e ka kritikuar edhe ish-bashkëpartiun e tij, Shpejtim Bulliqin, që e ka braktisur LDK-në, përcjell koha.net.

“Deri dje ishte me ne, ishte në sofrën tonë, në shtëpinë tonë. Tregoi jorespekt dhe ju e dini çka i gjen ata që dalin nga shtëpia e vet e që e rrotullojnë sofrën që i ka ushqye. Të vetëm të mirë që ia ka ba këtij vendi Shpejtim Bulliqi është se i ka lënë qytetarët pa viza për shkak të një zhvatje, ia kanë zhvat mbi 300 mijë euro buxhetit”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së djeshme, kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se Veliu e ka çuar pa nevojë komunën në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se me ato gjysmë milioni sa pritet të shpenzohen për këto zgjedhje, do të mund të realizoheshin shumë projekte në Podujevë.