Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka thënë se heqja e taksës po shtyhet për shkak të zgjedhjeve në Podujevë, të cilat pritet të mbahen me 15 mars.
Përmes një postimi në Facebook, Abrashi ka thënë se kjo mund të ndikojë në prishjen e raporteve me SHBA-në.
“Sot një javë, janë zgjedhjet në Podujevë; e në mesin e shumë arsyeve, heqja e tarifës po shtyhet edhe për shkak të garës në Podujevë. Ndërlidhja e vendimmarrjes për heqjen e tarifës me zgjedhjet në Podujevë, është gabim dhe keq që ka ndodh. Kryetari i ri i Podujevës do të jetë Nexhmi Rudari! Nuk mund të na prishni me Washington”, ka shkruar Abrashi.
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të jashtëzakonshme për media kishte njoftuar se Kosova do ta heq pjesërisht taksën e vendosur ndaj Serbisë që nga 15 marsi i këtij viti./Gazeta Sinjali/