Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk është duke pasur njohuri se si funksionon ekonomia e një shteti.
Ai ka thënë se Kurti është duke menaxhuar krizën ekonomike duke shpërndarë shtesa si masë mbështetëse për qytetarët.
“Tragjedia më e madhe këtu është se këta e kanë reduktuar problemin ekonomik në transaksione prej buxhetit në politika sociale, kaq është ekonomia e tyre. Kur i përmendke masat sot ky njeri fliste për skema sociale dhe më pas për zhvillim”.
“Kështu bëhet kryeministri i parë në botë në histori që e mëton zhvillimin me skema sociale, për të ekonomia është i marrim disa pare prej buxhetit dhe i shpërndajmë te njerëzit, kaq mendon. Po të ishte kaq e thjeshtë kjo punë, s’do të kishte nevojë për kryeministër. E marrim një kontabilist që do t’i shpërndante paratë nga buxheti i shtetit te qytetarët. Kështu ekonomia nuk bëhet, as nuk bëhet duke ngritur paranoja te bizneset”, ka thënë Abdixhiku në KlanKosova.