image Abazoviq propozon që në Podgoricë të mbahet takimi Kurti-Vuçiq: Nuk na duhen “deja vu” të viteve '90

Politikë

Abazoviq propozon që në Podgoricë të mbahet takimi Kurti-Vuçiq: Nuk na duhen “deja vu” të viteve ’90

news image

Podgorica është e gatshme të ofrojë mbajtjen e një raundi të ri për takim mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Sebisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh kryeministri në mandatin teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, derisa shprehu keqardhje për tensionet e tri javëve të fundit në pjesën veriore të vendit. Abazoviq u shpreh se shpreson që gjithçka të jetë duke shkuar drejt shtensionimit derisa u shpreh se “dialogu nuk ka alternativë”.

Abazoviq, i cili në forumin e Prespës u takua edhe me kryeministrin kosovar, tha se Mali i Zi si shtet mik edhe i Kosovës edhe i Serbisë është i gatshëm të ofrojë mbështetje logjistike për gjetjen e një zgjidhje. Ai u shpreh rreptësisht kundër veprimeve që, sipas tij, janë “deja vu” e viteve të ’90-ta.

“Dhuna nuk është e pranueshme në shekullin 21 dhe u bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga fjalët e ashpra dhe disa gjërave që mund të na rikthejnë në proces. Çfarë ofron Mali i Zi dhe Qeveria e Malit të Zi, si akt miqësor, si një vend që ka marrëdhënie të mira me Kosovën dhe Serbinë, nëse konsiderojnë se ne si vend mik mund të ofrojmë mbështetje logjistike për një takim të përbashkët, në vendin tonë. Jemi më se të gatshëm ta organizojmë, natyrisht në bashkëpunim me BE-në dhe SHBA-në”, i tha ai Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase.

“Unë i respektoj qëndrimet që janë dëgjuar, disa thonë se kjo nuk është vetëm çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe e rajonit. Nëse është një çështje e rajonit, atëherë është një çështje për të gjithë ne, për të gjashtë shtetet. Dhe në këtë kontekst, ne të gjithë duhet të marrim përgjegjësi për atë që ndodh ose nuk ndodh. Mendoj se është shumë e shëmtuar të shohësh skena të ngjashme me ato të viteve 1990. Gjithçka që duam dhe gjithçka që duhet të bëjmë si liderë politikë është të ofrojmë një vizion të ri, jo të kemi atë dejavu të asaj që ishte më parë, që nuk ishte e këndshme, por përkundrazi, me një vizion të ri për t’u ofruar qytetarëve më shumë frymë evropiane. dhe dëshira për të bërë disa gjëra të mira për rajonin. Le të shkojmë në 2030, jo në 1999 apo 2000”, tha Abazoviq.

/GazetaSinjali/